E plotësuar - Drejtori i klinikës kirurgjike në Prishtinë, Mehmet Maxhuni, ka konfirmuar se Dino Asanaj, drejtori i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, nuk i mbijetoi plagët e sulmit me thikë, me gjithë përpjekjet e mëdha të personelit mjekësor.
“I ndjeri Asanaj, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka arritur rreth orës 13:00, dhe personeli mjekësor ka intervenuar shumë shpejt. Ka pasur dy therje, një në fyt dhe një në gjoks, që i ka prekur mushkëritë dhe zemrën, dhe disa të tjera që nuk kanë qenë vdekjeprurëse. Me gjithë përpjekjet, i ndjeri ka ndërruar jetë rrethe orës 14:20”, ka thënë Maxhuni për Radio Evropa e Lirë.Më herët, Policia e Kosovës ka konfirmuar se Dino Asanaj ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga shoferi i tij. Zëdhënësi i Policisë, Brahim Sadriu, nuk ka dashur të komentojë shumë për rastin, por tha se lidhur më këtë incident ka marrë informacion nga linja telefonike ndihmëse e policisë. Motivet e këtij sulmi Policia e Kosovë nuk i ka mësuar, por siç thonë ata, hetimet janë duke vazhduar dhe se shumë pista janë të hapura. Policia po ashtu bën të ditur se në ketë rast janë inkuadruar edhe njësitet për hetimin e krimeve të rënda. Nga ana tjetër, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka konfirmuar se trupi i pajetë i Asanajt është vendosur në institut dhe të premten, me urdhër të Gjykatës së Qarkut, do t’i bëhet autopsia.Bazuar në hetimet preliminare policore, incidenti ka ndodhur në zyrën që posedonte viktima në Fshatin ndërkombëtar Amerikan dhe se mjeti i kryerjes së vrasjes dyshohet të jetë një armë e ftohtë - thikë.Njësiti i forensikës nga Drejtoria rajonale e Prishtinës është duke proceduar akoma këqyrjen e vendit të ngjarjes, në lokacionin ku ka ndodhur vrasja, transmeton Koha.net.Ekipet e hetuesve në vendin e ngjarjes janë në proces të grumbullimit të informacioneve që janë të nevojshme për procesin hetimor dhe zbardhjen e rrethanave rreth këtij rasti të vrasjes.Procesi hetimor, nga niveli i Drejtorisë rajonale ka kaluar tek Drejtoria për hetimin e krimeve të rënda, në kuadër të Drejtorisë së PërgjithshmeQeveria e Republikës së Kosovës dhe partitë politike kanë dënuar ashpër aktin kriminal të vrasjes së kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj.Qeveria kërkon nga organet kompetente që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme që kryesit e kësaj vrasjeje të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.
E vrau foshnjën, sepse ishte vajzë
Nëntëmbëdhjetëvjeçarja indiane Reshma Banu, tregon për CNN rrëfimin e saj tronditës, se si burri ia kishte vrarë foshnjën tremuajshe, vetëm sepse ishte vajzë. Vogëlushja Afreen ka vdekur në spital. Autoritetet kanë raportuar se fëmija kishte djegie në trup nga cigaret, thumbime dhe ndrydhje të qafës.
"Pas lindjes, burri erdhi për të më parë mua dhe fëmijën. Ai tha:` Vajzë është. Pse ke lindur vajzë’? Ai donte djalë. Tha se vajzat janë shumë të shtrenjta", tregon Banu, duke shtuar se burri i saj i kishte dhënë një ultimatum, disa ditë pasi kishte lindur Afreen: "Ai tha: ‘Si do t’i mbulojmë shpenzimet kur të martohet, kur për pajë kërkojnë 100 mijë rupi (rreth 1400 euro)’. Më tha se mund ta mbajë nëse marrë para nga nëna, nëse jo atëherë ta vras”. Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara, India është vendi më i keq në botë për të lindjen e foshnjave vajza. Ndonëse abortet që bazohen në gjininë e fëmijës ndalohen me ligje, ato janë dukuri e zakonshme, ndërsa të shpeshta janë edhe vrasjet e vajzave të porsalindura.
“Ku është Serbia, s'mund të marrë pjesë Kosova”
Ministri i Jashtëm në largim i Serbisë, Vuk Jeremic, ka thënë se Kosova nuk mund të jetë e pranishme në takimet e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), sepse ky forum është i rezervuar për shtetet e pavarura.
"Dua të jem i qartë, se kudo ku është e pranishme Republika e Serbisë, nuk mund të ketë përfaqësues të Republikës së Kosovës”, ka thënë Jeremic, duke iu drejtuar 12 shteteve anëtare të SEECP, në mesin e të cilave është edhe Bosnja dhe Hercegovina.Ai ka thënë se Këshilli për bashkëpunim rajonal është forum i përshtatshëm ku mund të dëgjohet zëri i shqiptarëve etnik të Kosovës, sepse kjo sipas tij është në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel për përfaqësimin rajonal të Kosovës. Marrëveshjet që janë neutrale ndaj statusit, që janë në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, nuk kanë lidhje me forumet multilaterale si SEECP, që janë të rezervuara për shtetet sovrane”, shtoi Jeremic. “As në Këshillin e Evropës, as në OSBE dhe në asnjë institucion ose agjenci që është në kuadër të sistemit të OKB-së”.